Gold AG: Ne shkolla mungon 'Edukata Fetare' (VIDEO)



Reperi nga Presheva, Gold AG, i njohur për karakterin e tij dhe repertorin patriotik, ka paralajmëruar publikimin e një projekti të ri muzikor. Bëhet fjalë këngën dhe videoklipin e titulluar “Harrove”, që do të percjellë mesazh sensibilizues kundër fenomenit negativ në shoqëri, përdorimit të drogës.



“Tekstin e kam pasur të shkruar para katër vitesh, por tani e kam incizuar. Kënga është mesazh dhe këshillë për mbarë popullin tonë, për të gjitha gjeneratat,” ka bërë të ditur Gold AG.

“Në tekst flitet për një person që ka fëmijë por fillon të humb.Në kohën që e kam shkruar isha tepër i ri për ta aktruar atë që kisha shkruar, prandaj në videoklip e luaj vetë atë rol”, ka shpjeguar reperi arsyen e pritjes së gjatë deri tek publikimi.

Lidhur me problemin qe e trajton ne kengë, reperi thotë: “Ështe problemi me brengosës në shoqërinë tonë. Problem që sjellë degjenerim dhe humbje të moralit”.

Tutje ai ka thënë se të rinjtë tanë nuk janë sa duhet të informuar për këto çështje:“Në shkolla mungon edukata fetare, se përndryshe do të kishte më pak raste, po t’ia dinin dëmin në këtë botë dhe në botën tjetër”.

Gold Ag ka shtuar se mesazhi nuk u dedikohet drejtpërdrejtë fansave të tij: “E di se ata që më duan e janë fansa të zemrës, nuk e pijnë as alkool, e le më të marrin diçka tjeter. Kjo është një vulë që nuk shlyhet”.

Teksti i këngës është shkruar nga Gold Ag, muzika nga Dj Suat, incizimi nga Sopi Records, ndërsa video është realizuar nga Think Creative. Në këtë video, që ngjason me film të shkurtër, do të aktrojnë aktorët Bislim Muçaj, Nexhmije Sellca dhe e dashura e reperit, Nora Muçaj.